Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarjen e organizuar nga SPD, për shënim të 75- vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës

26 Prill, 2024

Berlin, 26 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane: NATO dhe Këshilli i Evropës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Evropë.

Ai përmendi përjetimet e qytetarëve tanë në luftën për çlirim dhe pavarësi, e për të cilët lidhja me këto institucione perëndimore e demokratike ishte dhe që atëherë mbështetje për t’i ikur tmerreve të kohës.

Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

“75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Në vijim, ai elaboroi rreth përkushtimit të vendit tonë për vlerat e parimet demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e vëmendjen ndaj nevojave të komuniteteve joshumicë.

Ai tha se në këto tri vjet qeverisje, kemi dëshmuar se zhvillimin socio-ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë krah për krah.

Kryeministri bëri thirrje miqve tanë gjermanë që ta mbështesin vendin tonë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, si vendi i 47-të anëtar.

Në fund falënderoi Bundestagun dhe SPD për mikpritjen, interesin, mbështetjen dhe rolin kyç demokratizimin e Evropës dhe për ndihmën e vazhdueshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Dr. Mützenich
E nderuar Derya,
I nderuar Frank,
I nderuar grup parlamentar i SPD-së,
Zonja dhe zotërinj, të dashur miq,

75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane. Njëra është NATO-ja dhe tjetra është Këshilli i Evropës. Ato janë shtyllat e periudhës më të suksesshme të paqes demokratike në Evropë.

NATO mbron demokracitë, përmes parandalimit të përbashkët kundër agresionit të jashtëm. Këshilli i Evropës mbron demokracinë dhe të drejtat e njeriut përmes një gjykate unike evropiane për të drejtat e njeriut brenda të gjitha demokracive tona.

Periudha që nga fundi i Luftës së Ftohtë në Evropë ka parë kontinentin tonë të ndahet sërish në dy pjesë.

Ishte Evropa Perëndimore me fat: vende ku qytetarët mund të flinin të qetë pa u shqetësuar se një vend fqinj do t’i pushtonte javën e ardhshme, duke bombarduar shtëpitë e tyre dhe duke dëbuar popullsinë e tyre. Vende gjithashtu ku nuk ekzistonte frika nga një diktator që dërgonte policinë sekrete për të arrestuar kritikët natën vonë dhe për t’i futur në burg për t’u torturuar.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, ekzistonte një “Evropë tjetër” me më pak fat, një pjesë e kontinentit tonë me vende qytetarët e të cilëve kishin arsye të mira për t’u frikësuar nga represioni, tortura shtetërore, lufta dhe madje gjenocidi.

Kjo është Evropa e vendeve si Kroacia në vitin 1991, Bosnja dhe Hercegovina në 1992 dhe Ukraina sot. Në këtë situatë e gjeti veten dhe Kosova pas vitit 1989.

Populli im përjetoi represion, masakra të civilëve, arrestime dhe tortura e luftë. Ne vuajtëm dëbimin masiv të më shumë se një milion njerëzve në vitin 1999. Unë isha një nga ata që në atë kohë u burgosën për arsye politike për vite me radhë, duke u bërë edhe rob lufte.

Historia shpresëdhënëse e tre dekadave të fundit është zgjerimi masiv i Evropës së paqes demokratike. Që nga viti 1990, NATO, BE-ja dhe Këshilli i Evropës u zgjeruan më shumë se dyfishi.
Qytetarët në Evropën tjetër me më pak fat e lidhën me të drejtë hyrjen në këto institucione me arratisjen nga makthet të cilat i kishin frikë, dhe që disa vazhduan të përjetonin.

Kjo është arsyeja pse premtimi i zgjerimit është kaq i rëndësishëm për ne. Kjo është arsyeja pse vendimi për të cilin dua të flas me ju sot është kaq i rëndësishëm. Bëhet fjalë për një hap të madh kur Kosova mund të largohet nga Evropa me më pak fat, në të cilën duhet të shqetësohemi për pushtimin, për të shkuar drejt Evropës fatlume të paqes demokratike. Por këtë hap mund ta bëjmë vetëm me mbështetjen tuaj: mbështetjen e Gjermanisë, të kësaj qeverie, e të SPD-së, që drejton këtë qeveri.

Në dekadën e ardhshme ne duam të anëtarësohemi në NATO. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Por hapi i parë që mund të bëjmë këtë vit është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht 75 vjet më parë në Londër, Këshilli i Evropës.

Javën e kaluar është votuar në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarët gjermanë të Bundestagut luajtën një rol të madh atje. Jam ulur pranë Frank (Schwabe) dhe dua ta falënderoj personalisht për kontributin e tij. Ishte shumë prekëse të shihje deputetë nga 46 parlamente në Evropë duke deklaruar se mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Dhe pastaj ata votuan 131 pro dhe 29 kundër, që Kosova të bëjë një hap të madh drejt integrimit në Evropën e paqes demokratike.
75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024-ta është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj.

Që kjo të realizohet duhet të ndodhin dy gjëra.

Ne, Qeveria e Kosovës, kemi zotime ndaj Këshillit të Evropës për të nënvizuar se i çmojmë dhe respektojmë vlerat e përbashkëta të të drejtave të njeriut mbi të cilat është ndërtuar organizata. Ne do t’i mbajmë ato premtime dhe do të tregojmë në këtë mënyrë se do të forcojmë institucionet tona. Qeveria jonë në këto tri vite në detyrë ka treguar se zhvillimi socio-ekonomik dhe progresi demokratik ecin paralelisht. Ata nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ata kushtëzojnë njëra-tjetrën pozitivisht.

Më lejoni t’iu jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë të Malit të Zi, që i ofron qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të së njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi në mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë.

Ne e bëjmë këtë sepse është e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende të Këshillit të Evropës që për një kohë të gjatë e kanë injoruar gjykatën në lidhje me këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët.

Ne gjithashtu do të zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen minoritetet tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese.

Në të njëjtën kohë, bëjmë thirrje nga atje, Bundestagut, qeverisë gjermane, që të dëgjojë deputetët e shumtë gjermanë që javën e kaluar në Strasburg trajtuan me aq elokuencë arsyet pse pranimi i Kosovës këtë vit është gjëja e duhur për të bërë. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e shqyrtoi këtë çështje me kujdes, në bazë të shumë raporteve të detajuara dhe ne pamë rezultatin: 131 vota pro, dhe vetëm 29 kundër.

Vendimi kryesor që duhet të merret tani është vendosja e pranimit tonë në axhendën e takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës këtë maj.
Do të kërkoj nga Gjermania dhe miqtë tanë gjermanë të na ndihmojnë. Ne duam t’i ndihmojmë ata në cakun e tyre për të bindur të tjerët. Pranimi i Kosovës si anëtari i 47-të i Këshillit të Evropës teksa organizata këtë vit shënon 75 vjetorin e tij është një përparim historik, për vendin tim dhe qytetarët tanë, për rajonin tonë, e ne besojmë edhe për të gjithë Këshillin e Evropës.

Do të tregonte se një emancipim i pakthyeshëm nga e kaluara e afërt e tragjedive është i mundshëm, duke iu përmbajtur standardeve universale të të drejtave të njeriut.

Dua t’iu falënderoj juve – Bundestagun dhe SPD-në, një nga partitë më frymëzuese në historinë e demokracisë evropiane, për pritjen, për interesimin tuaj, për mbështetjen tuaj, që keni luajtur një rol kyç në krijimin e Evropës demokratike të cilën Kosova tani synon t’i bashkangjitet dhe për ndihmën ndaj nesh që ta bëjmë këtë në vitin 2024.

Faleminderit për gjithçka që keni bërë deri tani. Ju falenderoj paraprakisht. Vielen dank.
Ne do të kemi sukses me mbështetjen tuaj.

Last modified: 29 Prill, 2024

Comments are closed.

×